

Z.Ergys Qirici është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 1998 si dhe ka kryer studimet Master në Ekonomi dhe Financë Ndërkombëtare në Universitetin “Tor Vergata” në Romë, Itali në vitet 2001-2002.
Duke filluar nga viti 1998 dhe deri në vitin 2013 ka ushtruar detyra të rëndësishme në Drejtorinë e Legjislacionit në Ministrinë e Financave. Gjithashtu, i është përkushtuar edhe fushës akademike përgjatë periudhës 2003-2013, duke ushtruar funksionin e pedagogut të jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, në Universitetin “Luarasi” dhe në Universitetin “Motrat S.P Qirjazi”.
Ergys Qirici përgjatë periudhës 2013-2018, ka ushtruar funksione të larta në administratën shtetërore, si: Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Sekretar i Përgjithshëm i Komanduar në po këtë Ministri; Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronës Publike në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Gjatë përiudhës Janar 2019 – Qershor 2020 ka ushtruar funksionet pranë Avokaturës së Përgjithshmë të Shtetit.
Nga data 01.07.2020, z. Ergys Qirici ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, institucion në varësi të Ministrit të Drejtësisë, i krijuar në vitin 2018, me hyrjen në fuqi të ligjit nr.111/2017 “Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga shteti”. Ky pozicion pune përgjigjej për administrimin e skemës së ndihmës juridike të garantuar nga shteti në koordinimin me Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatat dhe Prokuroritë në Republikën e Shqipërisë, si dhe Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë, me qëllim garantimin e aksesit në drejtësi nëpërmjet ofrimit të shërbimit ligjor falas për çdo individ në nevojë. Sa më lart gjatë karrierës së tij, z. Qirici ka fituar përvojë në menaxhim, koordinim ndërinstitucional dhe ka dhënë kontribut professional në fusha me natyrë komplekse dhe të rëndësishme.
Më 14.02.2025, z. Ergys Qirici, është emëruar si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit. Tashmë z. Qirici po ndjek të gjithë proceset e mirëadministrimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror.