Në një ceremoni të zhvilluar sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u bë prezantimi i 19 përmbaruesve të rinj shtetërorë në të gjithë vendin.
Në një ceremoni të zhvilluar sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u bë prezantimi i 19 përmbaruesve të rinj shtetërorë në të gjithë vendin, përzgjedhja e të cilëve u bë përmes Këshillit Përmbarimor si dhe prezantimi i Zv.Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Inspektimit në DPP, z.Ajet Zyberaj.
I pranishëm në këtë ceremoni, ishte edhe Zv.Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili i inkurajoi përmbaruesit e rinj të mos harrojnë që janë fytyra e shtetit në kurorëzimin e drejtësisë së dhënë në sallën e gjyqit duke vlerësuar rezultatet e mira të përmbaruesve, të cilët edhe pse janë tkurrur në numër, vendimet e ekzekutuara prej tyre janë rritur me 40%.
Megjithatë, Gogu nuk nguroi t’u jepte një mesazh të qartë të gjithë atyre përmbaruesve në lidhje me rastet e korrupsionit.
“Nuk dua të besoj që në mesin tonë ka kolegë që praktikojnë metoda korruptive. Padrejtësia dhemb. Ju nuk duhet të vendosni interesin personal mbi atë publik. Merreni seriozisht detyrën.” Toni Gogu, Zv. Ministër
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit, Piro Lutaj dha një mesazh për kryetarët e zyrave përmbarimore, që të marrin situatën në dorë, të mos zvarrisnin ekzekutimin e vendimeve të gjykatave në dëm të qytetarëve shqiptarë.
“Nuk do tolerojmë që të jeni ju ata që krijojnë telashe për qytetarët shqiptarë”. Piro Lutaj, Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit