Publikuar më: 06/07/2026

Tryezë ndërinstitucionale për forcimin e bashkëpunimit në procesin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Me organizimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror, u zhvillua një tryezë me fokus rritjen e efektivitetit të ekzekutimit të titujve ekzekutivë, përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimit të kuadrit ligjor.
Në takim morën pjesë zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Elona Hoxha, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, znj. Clarisse Pasztory, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror, z. Ergys Qirici, profesor z. Vangjel Kosta, si dhe përfaqësues të gjykatave, prokurorive, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera.
Gjatë tryezës u diskutuan sfidat që hasen në praktikën e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe u paraqitën propozime konkrete për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe përshtatjen e kuadrit ligjor me nevojat e procesit të ekzekutimit.
Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror mbetet i angazhuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet për të përmirësuar efektivitetin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, në funksion të garantimit të të drejtave të qytetarëve dhe rritjes së besimit në sistemin e drejtësisë.