Publikuar më: 08/05/2025
Reagim nga Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit Shtetëror lidhur me rastin e transmetuar në emisionin “Fiks Fare” më 6 maj 2025
Lidhur me rastin e transmetuar në emisionin “Fiks Fare” më 6 maj 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit Shtetëror sqaron se shtetasi Emanuel Marku nuk ka asnjë çështje të regjistruar në Zyrën e Përmbarimit Lezhë për takime me fëmijët, siç pretendohet në pamjet e transmetuara.
Zyra e Përmbarimit Lezhë i ka kërkuar shtetasit në fjalë dokumentacionin përkatës dhe e ka orientuar për ndjekjen e procedurave ligjore. Megjithatë, deri më sot, ai nuk ka dorëzuar as vendimin gjyqësor, as kërkesën për ekzekutim dhe as tarifën përkatëse, sipas parashikimeve të nenit 515 të Kodit të Procedurës Civile. Pa këto elemente, përmbarimi nuk ka mundësi të ndërmarrë veprime ligjore.
Ky informacion i është komunikuar edhe gazetarëve që shoqëronin z. Marku, ndonëse pamjet përkatëse nuk janë transmetuar.
Në funksion të forcimit të aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë, Ministria e Drejtësisë ka propozuar amendime në ligjin nr. 111/2017 për “Ndihmën Juridike Falas”, të cilat përfshijnë:
• Heqjen e pagesës për ekspertin psikolog për personat në pamjaftueshmëri ekonomike;
• Përjashtimin nga taksat, tarifat dhe shpenzimet gjyqësore për kategoritë e margjinalizuara.
Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit Shtetëror mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjitha palët në proces.