Publikuar më: 10/06/2025
Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi midis Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit dhe Shkollës së Magjistraturës

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së kapaciteteve profesionale në sistemin e drejtësisë, më datë 10 qershor 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Shkolla e Magjistraturës nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi.
Ky memorandum synon të krijojë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të strukturuar ndërmjet dy institucioneve, në funksion të përmirësimit të praktikave profesionale në fushën e përmbarimit gjyqësor dhe formimit të vazhdueshëm.
Pikat kyçe të bashkëpunimit përfshijnë:
• Përfshirjen e përmbaruesve dhe inspektorëve të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror në modulet e trajnimit të vazhdueshëm të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës;
• Organizimin e konferencave, leksioneve të hapura dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta në funksion të rritjes së efikasitetit dhe zhvillimit profesional;
• Shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit dhe analizave që shërbejnë për përmirësimin e veprimtarisë institucionale.
Palët angazhohen për një koordinim të vazhdueshëm dhe zbatim efektiv të aktiviteteve të përbashkëta, në funksion të realizimit të objektivave të këtij memorandumi.
Memorandumi u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit, z. Ergys Qirici dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi.