Publikuar më: 03/12/2025
Inagurimi i ambjenteve të reja miqësore për fëmijët gjatë procedurave me objekt “Takim fëmije”, pranë Zyrës Përmbarimore Tiranë.
Në datën 02.12.2025 u inagurua një hapësirë e re miqësore për fëmijët, e krijuar për t’i dhënë më shumë siguri dhe mbështetje fëmijëve gjatë procedurave me objekt “Takim fëmije”, pranë Zyrës Përmbarimore Tiranë.
Projekti është realizuar nga Terre des Hommes me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Përveç rikonstruksionit, është ofruar edhe mbështetje psikologjike falas për fëmijët në rastet ku prindërit nuk kanë mundësi ta paguajnë këtë shërbim.
Nevoja për këto hapësira është shumë e madhe: vetëm në Tiranë janë 308 çështje takimi fëmijësh, ndërsa në të gjithë vendin ka 10,161 çështje që lidhen me pension ushqimor, takime apo kujdestari. Kjo tregon sa të ndjeshme janë proceset që përmbaruesit trajtojnë çdo ditë.
Ky investim është pjesë e Strategjive Ndërsektoriale të Drejtësisë dhe një hap i rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve për fëmijët. Synimi është që modele të tilla të hapen edhe në zyrat e tjera përmbarimore, duke vendosur gjithmonë në qendër interesin më të lartë të fëmijës.












