Publikuar më: 11/03/2026
Deklaratë për Shtyp në lidhje me emisionin investigativ “Stop”, TV Klan, datë 05.03.2026
Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit, pas transmetimit të një kronike në emisionin investigativ “Stop”, në televizionin Klan, më datë 05.03.2026, lidhur me pretendimet e qytetares Merjeme Shabani për mosekzekutimin e një vendimi gjyqësor nga ana e përmbaruesit pranë Zyrës Përmbarimore Vlorë, ka marrë menjëherë në shqyrtim këtë rast.
Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit për ushtrimin e kontrollit mbi procedurat përmbarimore të ndjekura nga përmbaruesi gjyqësor Krenar Kapllani, pranë Zyrës Përmbarimore Vlorë, u ngrit një grup hetimi për verifikimin e plotë të çështjes.
Nga verifikimet e kryera, përfshirë kontrollin e Librit të Regjistrit të Titujve Ekzekutiv të vitit 2023 të Zyrës Përmbarimore Vlorë, rezultoi se nuk është regjistruar asnjë titull ekzekutiv me znj. Merjeme Shabani. Gjithashtu, nga verifikimi i dokumentacionit dhe deklarimet e përmbaruesit gjyqësor rezulton se pranë kësaj zyre nuk ka qenë asnjëherë në ekzekutim një dosje me palët e përmendura.
Në këto kushte, nga kontrolli i ushtruar nuk u konstatuan shkelje disiplinore nga ana e përmbaruesit gjyqësor Krenar Kapllani, pranë Zyrës Përmbarimore Vlorë. Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit mbetet e angazhuar për të verifikuar me seriozitet çdo rast të ngritur në media apo nga qytetarët dhe garanton transparencë dhe përgjegjësi në ushtrimin e funksioneve të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.

