Publikuar më: 23/04/2025

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Prill 2025

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Prill 2025:

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN E FORMIMIT PROFESIONAL PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për institucionet ofruese të formimit profesional publik. Baza e të dhënave të institucioneve ofruese të formimit profesional publik quhet Sistemi i Formimit Profesional (SFP).
Autoriteti përgjegjës për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore të SFP-së është Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
Të dhënat e SFP-së, të parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat parësore konsiderohen të dhënat e mbledhura nga AKPA-ja që kanë të bëjnë me:

i.të dhënat e institucioneve ofruese të formimit profesional publik;

ii.të dhënat për programet që ofrohen nga institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iii. të dhënat për kurset që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iv. të dhënat e regjistrimit dhe certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik.

b) Të dhënat dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga ndërveprimi me sistemet informatike: Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; Sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; Sistemi i Shërbimeve të Punësimit. Të dhënat dytësore në SFP, të siguruara nga ndërveprimi, janë si më poshtë vijon:

i. Të dhëna për stafin dhe mësimdhënësit, si: NID, emri, mbiemri, atësia, datëlindja, adresa, gjinia, vendbanimi aktual, adresë e-mail-i dhe telefoni;

ii. Të dhëna kryesore për bizneset që kanë marrëveshje bashkëpunimi, si: NIPT-i, emri i biznesit, aktiviteti ekonomik, adresa, statusi, tipi i biznesit;

iii. Të dhënat për statusin e punësimit të kursantëve që referohen nga zyrat e punësimit, si: kategoritë që i përkasin (punëkërkues i papunë në pagesë papunësie, punëkërkues i papunë në ndihmë ekonomike).

Dhënësit e informacionit për SFP-në janë institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe drejtoritë rajonale të AKPA-së.
Të dhënat personale të grumbulluara ruhen në një formë që lejon identifikimin e subjekteve, në përputhje me qëllimin për të cilin janë mbledhur. Këto të dhëna kanë vlerë të përhershme ruajtjeje, pasi konsiderohen dokumente me rëndësi historike kombëtare.
Të dhënat e dokumentuara nuk përdoren për qëllime të tjera, që nuk janë në përputhje me qëllimin e grumbullimit. Ndalohet njohja ose çdo përpunim i të dhënave të regjistruara në SFP për një qëllim të ndryshëm nga ai fillestar, i përcaktuar në momentin e mbledhjes së të dhënave.
Niveli i aksesit në bazën e të dhënave në sistemin e SFP-së është, si më poshtë vijon:
a) Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave në rolet, si:
i. administrator sistemi për krijimin, shkrimin dhe leximin e përdoruesve, listave me konfigurime në sistem, të dhënat e institucioneve ofruese të formimit profesional publik, të dhënat për programet që ofrohen nga institucionet ofruese të formimit profesional publik;

ii. editues, lexues për të dhënat për kurset që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iii. lexues për të dhënat e regjistrimit dhe certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

b) Institucionet ofruese të formimit profesional publik kanë të drejta mbi bazën e të dhënave në rolet, si:

i. krijues për të dhënat e mësimdhënësve, bizneseve që kanë marrëveshje bashkëpunimi, kurseve që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe për të dhënat e regjistrimit e të certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

ii. editues për të dhënat e mësimdhënësve, bizneseve që kanë marrëveshje bashkëpunimi, kurseve që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe për të dhënat e regjistrimit e të certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik;

iii. lexues për të dhënat e mësimdhënësve, bizneseve që kanë marrëveshje bashkëpunimi, kurseve që zhvillohen në institucionet ofruese të formimit profesional publik dhe për të dhënat e regjistrimit e të certifikimit të kursantëve në institucionet ofruese të formimit profesional publik.

Rolet e nivelit të aksesit dhe të drejtave të çdo përdoruesi do të jenë në përputhje me pozicionin e punës, të përcaktuar në përshkrimet e punës të miratuara, sipas rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore për Sistemin e Formimit Profesional”, e cila miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së.
Të gjitha veprimet e kryera në bazën e të dhënave janë të gjurmueshme dhe të dokumentuara. Veprimet e kryera në bazën e të dhënave regjistrohen dhe ruhen nga AKPA-ja, duke përdorur kodin identifikues të personit të ngarkuar që ka kryer veprimin, datën e orën e konsultimit, fjalët kyçe të përdorura për kërkimin, numrin e dosjes dhe të dhënat e konsultuara. AKPA-ja është përgjegjëse për menaxhimin e aksesit në bazën e të dhënave dhe në rast të konstatimit të veprimeve të paligjshme pezullon menjëherë aksesin e personit, i cili ka vepruar në kundërshtim me ligjin apo udhëzimet e procedurat për administrimin e bazës së të dhënave. Pezullimi i aksesit nuk përjashton përgjegjësinë disiplinore, civile ose penale.
Palët do të ndërmarrin masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi. Çdo veprim në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj. duhet të lërë gjurmë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe të konfidencialitetit të të dhënave.
Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale kryhen në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Infrastruktura software dhe hardware për sistemin SFP mundësohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Të gjitha ndryshimet në infrastrukturë dhe arkitekturë SW dhe HW, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e formimit profesional, do të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucionet ofruese të formimit profesional publik, si dhe drejtoritë rajonale të AKPA-së për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PËRBËRJES DHE FUNKSIONIMIT TË KOMITETIT KOMBËTAR TË SIGURISË SË AVIACIONIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 114, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e përbërjes së Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil (në vijim, Komiteti). Komiteti kryesohet nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe përbëhet nga:
a) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit – zëvendëskryetar;

b) drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit, Policia e Shtetit– anëtar;

c) drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit, Policia e Shtetit – anëtar;

ç) komandanti i Forcës Ajrore, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë – anëtar;

d) drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;

dh) kryetari i Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;

e) drejtori i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Ministria e Mbrojtjes – anëtar;

ë) drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit – anëtar;

f) drejtori i Përgjithshëm i Doganave – anëtar;

g) drejtori i Përgjithshëm i Ofruesit të Shërbimeve të Lundrimit Ajror, Albcontrol – anëtar;

gj) drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike – anëtar;

h) drejtori i Sigurisë së Aviacionit, Autoriteti i Aviacionit Civil – anëtar.

Komiteti ka një sekretar, i cili është përfaqësues nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
Komiteti ka për detyrë koordinimin e aktiviteteve të sigurisë ndërmjet departamenteve dhe organizatave të tjera shtetërore, aeroporteve dhe operatorëve ajrorë, ofruesve të shërbimeve të lundrimit ajror dhe entiteteve të tjera të lidhura ose që janë përgjegjëse për zbatimin e Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe standardeve për mbrojtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjeve të paligjshme.
Komiteti mblidhet jo më pak se 2 (dy) herë në vit, me kërkesë të kryetarit, ose sa herë kërkohet me shkrim nga të paktën 1/3 e anëtarëve të tij. Për çdo mbledhje përcaktohen çështjet për diskutim.
Komiteti mund të ngrejë grupe pune ose komisione teknike për të raportuar mbi qëndrueshmërinë operacionale të programeve kombëtare të sigurisë së aviacionit dhe masave të reja, me qëllim përmirësimin e tyre.
Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë, pa të drejtë vote, dhe përfaqësues të subjekteve operuese në aeroporte ose që kanë lidhje me veprimtaritë në aeroporte, të tjerë përfaqësues të misioneve apo organizatave ndërkombëtare, që veprojnë në Shqipëri e që kanë lidhje me sigurinë e aviacionit, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e qëllimit të Komitetit.
Data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen, me shkrim, anëtarëve të Komitetit të paktën 7 (shtatë) ditë përpara mbledhjes. Në rastet e jashtëzakonshme, data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen, me shkrim, anëtarëve të Komitetit të paktën 1 (një) ditë përpara mbledhjes.
Për çdo mbledhje, sekretari i Komitetit mban procesverbal, i cili përmban të dhëna, të paktën, për datën e mbledhjes, pjesëmarrjen, diskutimet, votimin, për rastet kur ka vota kundër, miratimet, mosmiratimet, me shpjegimet përkatëse, si dhe nënshkrimet e anëtarëve pjesëmarrës në mbledhje dhe të sekretarit.
Kur Komiteti del me një vendimmarrje, sekretari i Komitetit, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga data e mbledhjes, harton vendimin e Komitetit, i cili përmban të detajuara konkluzionet përkatëse.
Vendimi nr.74, datë 2.2.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil”, shfuqizohet.
Ngarkohen Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Aviacionit Civil për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE PËR KOMPENSIMIN E MENJËHERSHËM FINANCIAR, NË RAST TË DËMTIMIT TË RËNDË TË PRONËS, PËR SHKAK TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “dh”, e 4, të nenit 104, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, përfiton kompensim të menjëhershëm financiar deri në 1 000 000 (një milion) lekë, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
Punonjësi i policisë e përfiton kompensimin e menjëhershëm financiar kur:
a) prona i është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori, ose prona i është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë për përmbushjen e detyrave zyrtare;

b) punonjësi i policisë disponon dokument, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë mbi pronën e dëmtuar, ose provon që këtë pronë e ka në proces legalizimi;

c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.

Për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit, duke parashtruar faktin e dëmtimit;

b) Kopjen e shkresës për referimin e veprës penale në prokurori, në rastin kur prona është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij, për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori;

c) Kopjen e noterizuar të dokumentit, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë së pronës së dëmtuar, apo që provon se këtë pronë e ka në proces legalizimi;

ç) Aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ngre komisionin, i cili përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:
a) Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;

b) Një punonjës nga Drejtoria e Mbështetjes Logjistike;

c) Një punonjës nga Drejtoria e Financave;

ç) Një punonjës nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore;

d) Një punonjës nga Drejtoria Juridike.

Komisioni kryen vlerësimin e përputhshmërisë së dokumentacionit të paraqitur me kriteret për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë. Komisioni i vë në dispozicion drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit vendimin përkatës.
Pagesa për kompensim të menjëhershëm financiar për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Bashkëlidhur me urdhrin e përmendur në pikën 6 të këtij vendimi, për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar, në rast dëmtimi të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, duhet të gjendet dokumentacioni i përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi.
Në rast se komisioni vendos për refuzimin e dhënies së kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi ka të drejtë të ankimojë vendimin e komisionit pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendos për pranimin ose refuzimin e ankimit të punonjësit. Në rast pranimi, kërkesa për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar i kthehet për rishqyrtim komisionit.
Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi i policisë, që ka përfituar kompensim të menjëhershëm financiar, është i detyruar të kthejë në masën 100 % shumën e përfituar.
Vendimi nr.169, datë 8.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare punonjësit të policisë, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës”, shfuqizohet.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.