Publikuar më: 09/11/2026
NJOFTIM PËR SHTYP- Sqarim mbi rastin e raportuar në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan më datë 04.11.2026
Në lidhje me rastin e trajtuar në emisionin investigativ “Stop”, të transmetuar në TV Klan më datë 04.11.2026, lidhur me një dosje përmbarimore ende të paekzekutuar pranë Zyrës Përmbarimore Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit bën me dije sa vijon:
Dosja përmbarimore është regjistruar më datë 26.03.2021, pranë Zyrës Përmbarimore Durrës, për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me palë kreditore dhe debitore të përcaktuara në titullin ekzekutiv.
Menjëherë pas regjistrimit të dosjes, janë ndërmarrë procedurat për ekzekutimin vullnetar dhe, në vijim, ekzekutimin e detyrueshëm të detyrimit. Në këtë kuadër, janë dërguar urdhra për vendosjen e sekuestros konservative pranë bankave të nivelit të dytë, institucioneve tatimore, Drejtorisë së Transportit Rrugor dhe strukturave të kadastrës në Durrës.
Nga përgjigjet e administruara në dosje, në disa faza të ndryshme të procedurës, ka rezultuar se debitorët nuk dispononin llogari bankare aktive, aktivitet biznesi, automjete apo pasuri të paluajtshme të identifikuara në pronësi të tyre, mbi të cilat mund të zbatohej masa e sekuestros.
Gjithashtu, janë ndërmarrë veprime për njoftimin dhe paraqitjen e debitorëve pranë përmbarueses gjyqësore, duke përfshirë edhe kërkesën për bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Në takimet e zhvilluara, debitorët kanë pranuar ekzistencën e detyrimit, por kanë deklaruar se nuk kanë mundësi ekonomike për shlyerjen e tij.
Gjatë ndjekjes së kësaj dosjeje, Zyra Përmbarimore Durrës ka shqyrtuar edhe informacionet e përcjella nga pala kreditore lidhur me mundësinë e ekzistencës së një kontrate porosie për një pasuri të paluajtshme me një shoqëri ndërtuese. Për këtë qëllim, janë kërkuar informacione pranë subjektit përkatës, por deri në këtë fazë nuk është administruar dokumentacion që të vërtetojë ekzistencën e një të drejte pasurore të debitorëve, mbi të cilën mund të ushtrohej ekzekutimi.
Po ashtu, lidhur me kërkesën e palës kreditore për vendosjen e sekuestros mbi një automjet në pronësi të bashkëshortes së njërit prej debitorëve, është sqaruar se një masë e tillë nuk mund të vendoset, pasi bashkëshortja nuk është palë në titullin ekzekutiv dhe nuk ekziston bazë ligjore për ekzekutimin e detyrimit mbi pasurinë e saj personale.
Përgjatë gjithë kësaj periudhe, pala kreditore është informuar në mënyrë të përsëritur mbi veprimet e kryera, rezultatet e verifikimeve dhe procedurat që duhet të ndiqen për marrjen e informacionit kadastral përmes platformës e-Albania.
Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore mund të përballet me vështirësi objektive, veçanërisht në rastet kur debitorët nuk disponojnë pasuri të identifikueshme dhe të sekuestrueshme. Në çdo rast, procedurat përmbarimore duhet të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit vlerëson rëndësinë e raportimeve mediatike në evidentimin e problematikave që lidhen me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe garanton se çdo rast i raportuar trajtohet me seriozitet, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale.

