FJALA PËRSHENDETËSE E PROGRAMIT

     

Të nderuar pjesmarrës!

  Duke ju uruar mirëseardhjen të gjithëve, do të doja të theksoj fillimisht vijimin e një dite pune, sikurse konsiderohet kryerja e programit për trajnimin e përmbaruesve gjyqësore.

 Ky program, në fakt është një koncept, i cili evoluon dhe është një rritje e planifikuar e përpjekjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, për vendosjen e parimit të zbatimit të ligjit në veprimtarinë e ekzekutimit të titujve ekzekutivë.

 Dhe, ky është lloj i qasjes praktike, pragmatike, mentorimit dhe trajnimit, i cili në një afat të shkurtër do të krijojë dallim në ngritjen e aftësive dhe kapacitetit të sistemit të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.

 Veprimtaria e ekzekutimit të titujve ekzekutivë e udhëhequr nga parimi i zbatimit të ligjit nuk është i rëndësishëm vetëm për të siguruar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe të titujve të tjerë ekzekutivë, por edhe në vendosjen e ekulibrit të duhur ndërmjet besimit të njerëzve (publikut) dhe vlerësimit të tyre ndaj strukturave të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.

 Por, nëse njerëzit konstatojnë se përmbaruesi gjyqësor në ushtrimin e funksionit të tij nuk është i përgjegjshëm; apo nëse njerëzit nuk kanë akses pranë këtij shërbimi, atëherë ata shumë shpejt e humbasin besimin e tyre për ekzekutim të titujve ekzekutivë nga kjo strukture shtetërore.

 E ju, si subjekte të marrëdhënies juridike procedurale – civile, keni rolin tuaj tejet të rëndësishëm për të përfaqësuar autoritetin shtetëror të kësaj strukture ligjore.

 Në pamje të parë, për detyrën e përmbaruesit gjyqësor të krijohet mendimi i gabuar, se është një angazhim relativisht i lehtë, jo me ndonjë përgjegjësi të madhe dhe që mund të kryhet me një bagazh të vogël njohurish nga fusha e drejtësisë, kryesisht me ato që përmbajnë dispozitat e Kodit të Procedurës Civile , neni 510 e vijues.

Në fakt, nuk është kështu. Kryerja e kësaj detyre kërkon në radhë të parë përkushtim, këmbëngulje në zbatim të normave procedurale për ekzekutimin e shpejtë dhe të saktë të titullit ekzekutiv, dhe ajo që është më kryesorja njohje shumë të mirë të ligjit procedural dhe material civil.

 Përmbaruesi gjyqësor duhet të jetë një civilist i mirë, të ketë njohuri të plota për përfaqësimin, parashkrimin, trashëgiminë, detyrimet, të jetë i informuar saktësisht mbi mënyrat e mbrojtjes së pronësisë, mbi kontratat, afatet dhe të tjera.

 Përmbaruesi, në cdo ceshtje konkrete ndjehet përpara disa situatave, nga të cilat do të përmëndja:

 1-    Trysnia e kreditorit që në momentin e regjistrimit të kërkesës për ekzekutim, i cili pas një stresi dhe kalvari seancash gjyqesore me vite, gjykimesh dhe rigjykimesh në të tre shkallët e gjyqësorit, ka konsumuar pjesën më të madhe të durimit dhe pret ekzekutim sa me te shpejtë të së drejtës së fituar.

2-    Nga ana tjetër ndeshet me mungesën e vullnetit të debitorit për ekzekutimin vullnetar të detyrimit të tij, me presione dhe kërcënime, me ndërhyrje të personave të ndryshëm, me veprime që mundohen ta pengojnë atë, duke mospranuar dhe njohur vendimin e gjykatës.

3-    Vështirësit që dalin gjatë procesit të ekzekutimi, nga pasaktësitë që përmbajnë vetë dipozitivët e vendimeve të gjykatës.

4-    Niveli i përgatitjes profesionale të vetë përmbaruesit

dhe

 5-    Tërësia e integritetit moral të tij.

 Në këtë kontekst është vlerësuar si thelbësore që përmbaruesve gjyqësore t’u ofrohet trajnim i përshtatshëm, i qëndrueshëm dhe kualifikim i duhur me qëllim që të zbatojnë me eficensë dhe në mënyrë të arsyeshme procedurat e ekzekutimit, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.  

 Në këtë kuadër, trajnimi do të konsistojë mbi ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Civile, të cilat ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e punës së Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor, në funksion të realizimit të ekzekutimit të titujve ekzekutivë, si dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë së Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor ndaj shtetsave dhe personave juridik, në ekzekutimin e titujve ekzekutivë, nëpërmjet vendosjes së afateve të prera dhe përcaktimit të procedurave të qarta, të cilat mundësojnë shmangjen në maksimum të zvarritjeve apo vonesave të tepërta në ekzekutim.

 Gjithashtu, një tjetër temë e vlerësuar për të qënë në qëndër të diskutimeve të përbashkëta të kësaj tryeze, për shkak të numrit të lartë të këtyre cështjeve te regjistruara për ekzekutim si dhe problematikës që ato mbartin, është edhe « ekzekutimi i vendimeve gjyqësore me objekt «takim me fëmijë» dhe «kthimin e fëmijës prinderit kujdestar», në respektim të plotë të të drejtave të fëmijëve».

 Duke besuar se nuk dëshirojmë të prologojmë më tej pjesën ceremoniale të këtij trajnimi/programi, kështu që të fillojmë menjëherë.

 

                                                                                                DREJTORI  I  PËRGJITHSHËM

                                                                                                   Albert PILO