Në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë u zhvillua analiza e veprimtarisë së Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror për vitin 2017, ku ishin të pranishëm të gjithë punonjësit e këtij shërbimi, përmbarues dhe personel mbështetës në të gjithë territorin. Mori pjesë gjithashtu, Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj dhe funksionarë të lartë të MD, Sekretarja e Përgjithshme e Drejtor Drejtorie në MD.

Pas materialit të detajuar dhe shumë kritik për treguesit e papranueshëm në realizimin e detyrave nga ana e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror që referoi Drejtori i Përgjithshem i këtij shërbimi z. Piro Lutaj, u evidentua qartësisht fakti se të metat e konstatuara në veprimtarinë e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, nuk janë thjesht administrative, por thelbësore dhe ekzistenciale.

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj, në fjalën e saj theksoi se ky shërbim duhet të reformohet rrënjësisht.

Fokusi kryesor për të ardhmen e këtij shërbimi do të jetë një ridimensionim i ideve, rritjes së performances së secilit përmbarues gjyqësor shtetëror në territor, e për pasojë rritja e treguesve të nivelit të ekzekutimeve të titujve ekzekutiv, gjë që do të cojë vetvetiu në rritjen e të ardhurave në interes të buxhetit te shtetit.

Shmangia e çdo zvarritjeje në ekzekutime, rritja e konkurencës me operatorët privat, por edhe rritja e performancës dhe etikës së përmbaruesve shtetërorë, do të jetë ne vëmendjen e Ministrit të Drejtësisë, prandaj kërkohet një angazhim më i mirë i Keshillit të Përmbarimit, i cili drejtohet nga Sekretari Përgjithshem, por inicohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit, tha midis të tjerash Ministrja Gjonaj.

Analiza u mbyll duke marrë gjithesecili përgjegjësitë që u takojnë, me theks të qartë: atë të nevojës urgjente për ndryshim.